Presidentja Vjosa Osmani priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ku u diskutuan çështje kyçe si roli i Turqisë në forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, procesi i njohjeve ndërkombëtare për Kosovën, si dhe përballja e ardhshme në futboll mes Kosovës dhe Turqisë.
Sipas njoftimit të Presidencës, të dyja palët riafirmuan përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të partneritetit dhe e cilësuan të shkëlqyeshme marrëdhënien Kosovë-Turqi.
“Presidentja Vjosa Osmani priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe zhvillimet aktuale. Ajo shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës, si historikisht ashtu edhe gjatë mandatit të saj, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe diplomacisë. Presidentja vlerësoi rolin e Turqisë në forcimin e kapaciteteve të FSK-së dhe në përkrahjen e Kosovës në procesin e njohjeve ndërkombëtare. Një falënderim i veçantë iu drejtua Presidentit Recep Tayyip Erdoğan për përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe ambasadorit Angılı dhe Ambasadës së Turqisë për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Të dy palët riafirmuan përkushtimin për forcimin e mëtejmë të partneritetit në funksion të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit”, thuhet në njoftim.
Në takim u përmend edhe ndeshja finale e plejofit për kualifikimin në Botërorin e futbollit, ku Kosova do ta presë Turqinë të martën, më 31 mars. Presidenca bëri të ditur se në takim “u shpreh dëshira që kjo përballje të karakterizohet nga fryma sportive dhe respekti i ndërsjellë”.