Ish-banori i “Big Brother VIP”, Miri, ka vendosur t’i vërë pikat mbi “i” lidhur me një nga debatet më të diskutuara që shoqëroi rrugëtimin e tij. I ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, ai ka folur me shumë qetësi, por me një gjuhë tejet argumentuese dhe goditëse lidhur me akuzat e babait të Selin, i cili e kishte cilësuar atë si “manjak”.
Pa ngritur tonet dhe me një gjakftohtësi të plotë, Miri sqaroi se nuk mund të marrë përsipër faje për situata të cilat janë perceptuar gabim nga jashtë.
“Në momentin që unë do të pranoja atë që është perceptuar nga i ati, do të thoja që unë isha fajtori,” u shpreh ai gjatë intervistës, duke nënvizuar se gjithçka po ndodhte në kuadrin e dinamikave të një loje televizive. Në vend të replikave të ashpra, Miri zgjodhi të shtrojë disa pyetje mjaft logjike që e vendosin të gjithë situatën në një tjetër perspektivë.
Sipas tij, nëse babai i Selin ishte vërtet i shqetësuar nga veprimet e tij, hapi më i natyrshëm do të ishte që të këshillonte vajzën e vet, jo të kërkonte llogari tek ai.
“Nëse ai e ka parë ashtu, duhet të shkonte t’i thoshte vajzës së tij largohu nga ai. Përse duhet të largohesha unë? Ne ishim në një lojë,” deklaroi ish-banori me bindje. Më tej, ai nxori në pah atë që e konsideron si një kontradiktë të pastër në mesazhet që babai i saj dërgoi brenda shtëpisë. “Përse t’i çosh letrën dhe i thua mos u largo nga krevati? Përse nuk u largua ajo? Përse nuk i erdhi letër: largohu nga manjaku? Përse më thotë mua largohu nga vajza ime… Këtë nuk e kuptoj,” përfundoi Miri duke e lënë topin në fushën e palës tjetër.