Kryetarja Haxhiu priti në takim zëvendësdrejtorin menaxhues të EEAS për Ballkanin Perëndimor, Emanuele Giaufret.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, priti sot në takim zëvendësdrejtorin menaxhues të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm për Ballkanin Perëndimor (EEAS), Emanuele Giaufret.

Sipas njoftimit zyrtar të parlamentit, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend dhe rëndësinë e vazhdimit të reformave.

Tutje, në njoftim thuhet se Haxhiu e njoftoi Giaufret për punën e Kuvendit, marrëveshjet e ratifikuara, përfshirë Planin e Rritjes, si dhe për prioritetet institucionale.

Në takim, kryekuvendarja theksoi gjithashtu aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, seriozitetin dhe përkushtimin institucional, si dhe mbështetjen që nevojitet nga partnerët në BE në këtë drejtim.