Një konflikt i vjetër mes dy familjeve shqiptare në Suedi dyshohet se përfundoi në tragjedi.
20-vjeçari Elion Veseli nga Mitrovica mbeti i vrarë me thikë në qytetin Kristianstad, duke tronditur komunitetin shqiptar dhe opinionin publik.
Sipas mediave suedeze, ngjarja ndodhi pas një përleshjeje në qendër të qytetit gjatë fundjavës, ndërsa autoritetet kanë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në rast.
Hetimet paraprake po fokusohen në një konflikt që raportohet se ka nisur që nga viti 2011 gjatë një turneu futbolli për fëmijë.
Mediat suedeze shkruajnë se tensionet mes familjeve kanë vazhduar ndër vite, me incidente dhe përleshje të herëpashershme.
Elion Veseli raportohet të ketë qenë vëllai i njërit prej djemve të përfshirë në konfliktin fillestar.
Në raportimet e publikuara thuhet se në janar të vitit 2011 rreth 30 persona ishin përfshirë në një përleshje, ndërsa disa persona ishin hetuar për dhunë fizike, por rasti nuk kishte përfunduar në gjykatë.
Autoritetet suedeze ende nuk kanë bërë publike detaje shtesë mbi motivin përfundimtar dhe akuzat që mund të ngrihen ndaj të arrestuarve.
Ndërkohë, familjarët e të ndjerit nuk kanë njoftuar ende nëse ceremonia mortore do të mbahet në Kosovë apo në Suedi.
Hetimet për vrasjen e Elion Veselit po vazhdojnë.